Vit pas viti si fëmijët ashtu edhe prindërit përballen me sfida të reja, më të mëdha se të parat. Viti 2018 ka sjellë sfida të reja, e ka thelluar disa të tjera. Të qënit një prind i mirë është e vështirë në çdo kohë, por duket se sa më shumë koha evoluon aq më shumë vështirësohet kjo “punë”. Në marrëdhënien prind-fëmijë ka ende shumë për të zbuluar, por sot po zbërthejmë sëbashku 5 nga sfidat kryesore fizike të vitit 2018.

Nuk kam kohë.

Sa herë jeni gjendur në një situatë ku përgjigjia juaj e vetem ka qënë: Nuk kam kohë. Është e vërtetë, koha është një nga faktorët kryesorë që i pengon prindërit të merren me aktivitete fizike së bashku me fëmijët e tyre. Kjo për vetë faktin se prindërit punojnë dhe i dedikohen të ardhurave të tyre financiare, për të siguruar esencialet si: ushqimin e veshëmbathjen. Por po këta prindër, jo për faj të tyre, harrojnë se aktiviteti fizik është po aq i rëndësishëm sa ushqimi në krijimin e një jete të shëndetshme për fëmijët e tyre.
Një zgjidhje në këtë rast do të ishte riplanifikimi i ditës tuaj. Mund të hiqni disa aktivitete të dorës së dytë sic është: kafeja e ditës dhe këtë kohë t’ia dedikoni diçkaje më të shëndetshme. Rregulloni disa prioritete dhe do të jeni më të lumtur dhe të kënaqur me fëmijën tuaj, se sa do të ishit në kafenë e lagjes.

Por fëmija im do PlayStation…

Sfida më e madhe e viteve të fundit është të kënaqim shijet gjithnjë e më të shtrenja të fëmijëve. Jo të paktë janë ata prindër që preferojnë t’u blenë fëmijëvë lojërat elektonikë më të shtrenjta vetëm e vetëm që, fëmijët e tyre të kënaqen. Epo përshëndetje prindër, nëse nuk e keni kuptuar ende: Fëmijët nuk kënaqen kurrë. Ndaj edhe quhen fëmijë. Sot është PlayStation, nesër Xbox One, më vonë Pokemon Go, Samsung S9 e kështu me rradhë. Nëse prindërit nuk i rezistojnë dot presionit të fëmijëve për sa i përket lojërave të tilla, do të përfundojnë duke rritur fëmijë materialistë që nuk kënaqen kurrë.  Nuk po pretendojmë t’i largojmë fëmijët nga benefitet e gjeneratës së tyre, por të kontrollojmë dëmin që mund t’i shaktojnë vetes.

Një zgjidhje shumë praktike për këto raste do të ishte vendosja e një orari strikt për fëmijët tuaj: Një orë aktivitet fizik = një orë lojëra kompjuterike. Përpos të mirave që ka vendosja e këtij orari mbi fizikun dhe shëndetin mendor të fëmijëve, i ndihmon ata të praktikojnë një disiplinë të fortë që do i ndihmojë më vonë në jetë.

Le të luajë të lagjia, edhe nuk më merr kohë edhe kënaqet.

Një zgjidhje praktike që gjejnë prindërit është t’a lënë fëmijën të luajë me bashkëmoshatarë të tjerë në ambjente publike. Disa nga nostalgjia e fëmijërisë së tyre, disa nga mungesa e kohës, i lejojnë dhe inkurajojnë fëmijët të shpenzojnë kohë në ambjentet publike pranë shtëpisë së tyre. Deri diku kjo është një zgjidhje praktike dhe e gjetur, tipike për komunitetet e vogla të lidhura shqipëtare.

Ajo që shumë prindër nuk marrin parasysh është prania e faktorëve të tjerë jo shumë të shëndetshëm për fëmijët. Përveç rreziqeve të rrugës dhe ndotjes që fëmijët thithin në ambjentet e jashtme, ka edhe presione të tjera që mund të ndryshojnë dukshëm sjelljen e fëmijëve. Presioni i shokëve për fëmijët e moshave të reja është shumë më i fortë se presioni familjar. Prindërit këtë fakt e anashkalojnë dhe shpesh presin që fëmija i tyre të formojë respektin ndaj tyre vetvetiu. Kjo krijon një çarje të panevojshme ne marrëdhien prind-fëmijë, duke orientuar fëmijën më shumë drejt “akteve të rrugës”.

Një zgjidhje e shëndetshme në këtë rast, por jo vetëm, do të ishte komunikimi i hapur. Mësoni me shumë rreth fëmijës: kush janë shokët e tij më të mirë dhe aktivitet e preferuara, dëgjoni me vëmëndje dhe tregohuni të hapur ndaj problemeve të tyre. Për ju mund të jetë diçka fare e vogël dhe pa rëndësi, por bota e fëmijës tuaj orientohet rreth çështjes në fjalë. Në këtë mënyrë nuk keni pse të jeni “tirani” që po e ndani nga shokët dhe jeta sociale, por prindi i përkushtuar dhe mirëkuptues.

Fëmija im nuk i’a thotë për sportist/e.

Jo vetëm medalistët olimpikë janë aktivë fizikisht. Të jesh aktiv fizikisht do të thotë të jesh energjik, të ndihesh mirë me trupin tënd, të lëvizësh mjaftueshëm brënda një dite dhe të jesh i shëndetshëm. Për sa kohë fëmija juaj i ngjason këtij profili, ai është aktiv fizikisht. Mos e dekurajoni fëmijën edhe veten me fraza të tilla si: “Nuk je i aftë për asnjë sport”, ose “Pse nuk je më i shkathët”… Fëmija juaj është ai që është, jo ai që dëshironi ju të jetë, kështu që pranojeni personalitetin e fëmijës tuaj, dhe inkurajojeni drejt aktiviteteve të shëndetshme për të.

Në të njëjtën mënyrë, mos e inkurajoni së tepërmi fëmijën, mos e mësoni me iluzionin se ai është më i miri dhe bota rrotullohet rreth tij, vetëm sepse bëri një 3-pikësh të saktë (basketboll) ose një gol të bukur (futboll). Mos e shtyni drejt veprimtarive që ju japin juve gëzim, por drejt veprimtarive që plotësojnë fëmijën tuaj.

Por është shumë ftohtë/nxhehtë…

Ditët e sotme prindit hiperprotektivë duket se janë trend. Kam vetëm një fëmijë, mezi e kam, e të tjera pohime si këto i bëjnë prindërit t’u mohojnë disa nga kënaqësitë më të mëdha të fëmijërisë së tyre. Prindërit kanë të drejtë: i nxehti, i ftohti dhe faktorë të tjerë të jashtëm nuk janë të shëndetshme për fëmijët, por nuk duhet t’ua mohojnë disa aktivitete në natyrë bazuar vetëm mbi këto supozime. Duhet kuptuar që fëmija nuk është kukull e as zbukurim që nuk duhet ndotur, është një qënie e gjallë me personalitet e dëshira shumë specifike, edhe në moshë fare të re. Detyra e prindërve është të njohin këto nevoja dhe dëshira dhe të vendosin se cilat janë më me benefite se të tjerat.

Në raste kur fëmija ka dëshirë të dalë e të ekplorojë, e mira do të ishte të parapërgatiteni dhe të vlerësoni dëshirat e fëmijës tuaj. Për shëmbull në ditë të nxehta vere duhen ndjekur këshillat e mjekeve, dhe të evitohen orët e pikut. Për pjesë të tjera të ditës mund të përdoret nje krem me SPF të lartë, të zgjidhen zona të freskëta mes pemëve e në hije. Në këtë mënyrë edhe mbroni fëmijën tuaj edhe nuk i mohoni disa kënaqësi të thjeshta por me shumë benefite për ta. E njëjta logjikë vlen edhe për në dimër, ku mund ti vishni mirë fëmijët pa i ndaluar ata të shijojnë temperaturat e ulëta (në përputhje me këshillat e mjekut) dhe borën.

Rruga drejt përsosjes si prind fillon më lindjen e fëmijës dhe përfundon bashkë me ju. E rëndësishme është që fëmija juaj të shijojë fëmijërinë, të kënaqet dhe të edukohet me një stil jetese aktiv, në dobi të tij. Sfida më e madhe e 2018 është pikërisht kjo: Të qëndruarit aktivë. Nëse arrini të edukoni fëmijën tuaj me këtë stil jetese, keni arritur të ndertoni një personalitet të ri vëtrtet të fortë dhe të aftë për të përballuar sfida akoma më të mëdha.