VLLAZNIA-PARTIZANI – Duke marrë shkas nga fitorja e thellë 0-7 në kryeqytet, për shkodranet ishte një formalitet sfida e zhvilluar të shtunën në “Reshit Rusi”. Gjithsesi, Vllaznia nuk fali as në kthim, duke e likuiduar Partizanin me rezultatin 3-0. Protagonistja e ndeshjes ishte e zakonshmja Megi Doçi, e cila e tundi tri herë rrjetën, një herë në pjesën e parë dhe dy herë në të dytën. Kështu, vajzat kuqeblu presin biletën e finales, ku do të synojnë Kupën e dhjetë radhazi.

TIRANA-APOLONIA – Në takimin e luajtur të dielën në “Skënder Halili”, vajzat bardheblu kërkuan të realizonin përmbysjen e madhe. Megjithatë, edhe pse triumfuan me rezultatin 2-1, kjo nuk mjaftoi për t’u dhënë atyre kualifikimin, pasi fieraket kishin fituar 4-0 në sfidën e parë. Ndeshja ka qenë mjaft e bukur dhe e fortë, duke lënë pas një fraksion pa gola, por me raste të shumta për Tiranën. Vajzat bardheblu të trajneres Aurora Seranaj i zhbllokojnë shifrat në minutën e 57-të, kur Metalla fiton një 11- metërsh dhe po vetë e kthen në gol. Tirana i afrohet golit të dytë në dy raste me Anela Vishkullin.

Por në të 79-ën, Apolonia vendos baraspeshën. Metalla shkakton 11-metërsh dhe njëkohësisht merr edhe kartonin e kuq si lojtarja e fundit. Iliadhin nuk gabon nga pika e bardhë dhe 1-1. Ndonëse në inferioritet numerik, vajzat bardheblu tregojnë karakter. Vishkulli me një gjuajtje të shkëlqyer nga 30 metra e stampon topin në rrjetë duke realizuar një supergol në fundin e takimit, me ndeshjen që mbyllet 2-1 për Tiranën, por që nuk luan rol për fatet e kualifikimit për në finale.