Intervistë e shkurtër me Z. Labo Çapo, sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqipëtare të Judo-s. Z.Çapo ndan me ne eksperiencën e tij me federatën, objektivat dhe arritjet e saj, si dhe planet e mëdha që ka kjo federatë për të masivizuar këtë sport me vlera.
Përshëndetje z.Çapo. Ju jeni sot sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqipëtare të Judo-s. Mund të ndani më piketën disa detaje mbi këtë federatë? Si lindi ajo dhe si vazhdon të përmbushë qëllimet e saj?
Elementet e parë të sportit të Judo-s janë futur që në vitin 1991, vazhdoi me disa organizime të vogla, pastaj u bë dhe Federata e Arteve Marciale ku përfshihen dhe karateja me taekwondo-në. Më vonë në vitin 2000 këto sporte u ndanë në fedaratat përkatëse, duke krijuar kështu edhe Federatën Shqipëtare të Judo-s. Aderojmë me federatën ballkanike, europiane dhe atë botërore. Jemi një federatë që kemi rreth 11 klube dhe shoqata sportive, jemi pjesëmarrës në shumë veprimtari ndërkombëtare, duke përfshirë lojrat olimpike në Pekin, lojrat olimpike rinore ne Singapor, në shumë veprimtari që organizon Komiteti Olimpik Kombëtar Shqipëtar, në lojrat mesdhetare, në Europë e të tjera më gjërë. Gjithashtu zhvillojmë kampionatet kombëtare për fëmijë, kadetë-të rinj dhe seniorë-të rritur. Organizojmë Kupën e Shqipërisë, dhe e vecanta është se organizojmë një turne mbarëkombëtar ku marrin pjesë të gjithë shqipëtarët në Europë që ushtrojnë sportin e Judo-s, të lindur në Shqipëri dhe të emigruar jashtë. Ky aktivitet përvec shkëmbimit të eksperiencave është edhe një model bashkimi e vëllazërimi mes shqipëtarëve.
Cilat janë objektivat e Federatës Shqipëtare së Judo-s? Ku do t’a shohim në vijim pëfaqësinë shqipëtare të judos?
Në vitin 2016 kemi patur një dendësi aktivitetesh, kemi marrë pjesë në të gjithë kampionatet baallkanike, kemi dhe rezultate si nënkampion Ballkani në kategorinë junior, dy vende të III për kategorinë senior-të rritur dhe si ekip kemi dalë në vendin e tretë. Këto i quajmë suksese, sepse Judo është një sport i vështirë dhe me rivalitet shumë të fortë. Për vitin 2017 kemi hartuar dhe projekt-kalendarin për të gjitha aktivitetet ku Federata do të marrë pjesë, duke i dhënë prioritet lojrave olimpike Mesdhetare që do të zhvillohen në Tarragona të Spanjës. Me mbështetjen e KOMITETIT OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPËTAR kemi bërë dy grumbullime dhe kemi një të tretë në Slloveni ku do të dërgojmë ekipin për një stërvitje 10 ditore. Për lojrat olimpike 2020 në Japoni, jemi në hapa bashkëbisedimi me KOMITETIN OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPËTAR për të specializuar 2 trajnerë. E vecanta tjetër eshte edhe një program nga Federata Botërore e Judo-s, që vazhdon dhe do vazhdojë edhe në 2017 dhe i dedikohet fëmijëve. Ne kemi bërë një marrëveshje me ministren e arsimit dhe sportit Znj.Nikolla, për promovimin e vlerave të sportit të Judo-s nëpër shkolla. Për këtë kemi arritur shtrirje në disa rrethe dhe shkolla. Përvec kësaj Qëndra Kulturore e Kavajës ka qënë e gatshme të promovojë këtë sport. Pra me qëndër në “Qëndrën Kulturore të Fëmijëve” atje ky sport po popullarizohet edhe në Kavajë.
Cilat janë disa nga pikat e forta të strategjisë që ju ndiqni për të zvilluar këtë sport? Po pikat e dobëta? Nëse ka, si po i përmirësoni ato?
Politikat e Federatës Shqipëtare të Judos kanë qënë dy: masivizimi dhe promovimi i këtij sporti dhe përcaktimi i elementëve cilësorë që do të përfaqësojnë FEDERATËN SHQIPËTARE E JUDO-S. Duke patur një elitë të sportit, mund t’a përdorim edhe si pasqyrë për grupmoshat e reja. Për sa i përket masivizimit, mund të kishim ecur edhe më shumë në qytete të tjera, por me programin që po planifikojmë për të futur Judo-n në shkolla shpresojmë të ecim më shumë. Nje pikë tjetër e dobët ku jemi perpjekur ta përmirësojmë nëpërmjet kurseve të trajnimit dhe po punojmë për t’a përmirësuar ende, por pa arritur rezultatin e duhur është edhe pjesa e gjyqëtarisë, e cila është edhe një nga pjesët më kryesore të federatës. Kemi stonuar dhe kemi patur mangësi, por këtë difekt neve e kemi mbuluar duke bashkëpunuar me Federatën e Kosovës. Gjithmonë kemi patur gjyqtarë prej kësaj federate dhe gjithcka ka shkuar më së miri.
Përvec mbështetjes emocioanle të dashmirëve të këtij sporti, cilat janë mbështetjet e tjera financiare që vijnë në emer të kësaj Federate?
Shpenzimet për një veprimtari normale të federatës mbulohen nga fondi Grand i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe projekte për trajnime nga KOMITETI OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPËTAR. Këto jane dy burimet kryesore. Një gjë e re e vecantë që e kemi parë në vitin 2016, është edhe përfshirja e prindërve të fëmijëve. Normalisht jo në terma financimi të drejtpërdrejtë, por kanë vënë makinat e tyre persoanle në dispozicion, duke mbuluar shpenzimet e makinës në udhëtim drejt aktiviteteve që kërkonin transport tokësor. Ky bashkëpunim ka funksionuar mjaft mirë dhe pritet të vazhdojë të funksionojë edhe në vitin 2017, duke u mbështetur kryesisht nga Federata. Shpresojmë të vazhdojë të thellohet ky bashkëpunim sepse është më pranë dëshirave të fëmijëve dhe mirëpritet edhe nga ata.
Në aspektin personal Z.Çapo, do të vazhdoni të jëni pjesë e Federtës së Judo-s, apo keni rezervuar kontrata te reja profesionale?
Unë kam shumë vite që jap kontributin time dhe jam i përqëndruar në këtë Federatë. Për mua kanë investuar të tjerët nëpërmjet trajnimeve dhe kualifikimeve nga KOMITETI OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPËTAR, Federata Botërore, Federata Europiane. Këtë kontribut unë dua t’a investoj te Federata e Judo-s për të përmirësuar dhe zhvilluar cdo aspekt të saj. Tanimë kanë filluar të duken dhe rezultatet. Një gje tjetër e vecantë është që ne kemi patur anëtare të Federatës dhe Majlinda Kelmendin, e cila i ka dhënë shumë federatës duke na kompletuar më tej.
Faleminderit, Z.Çapo, për përgjigjet tuaja të sinqerta, dhe sukses në punën tuaj dhe në mbarëvajtjen e Federatës.