Image may contain: one or more people and indoor

Intervistë e shkurtër me trajnerin e ekipit të Vllaznisë për disiplinën e taekwondo-së, z. Elion Puka. Z.Puka ndan me piketën ekipin e tij, punën, objektivat dhe arritjet e këtij ekipi. Vllaznia po ngrihet në podiume me shumë punë, në pritje të mbështetjeve dhe arritjeve të reja.

  1. Përshëndetje z.Puka. Ju jeni trajner i ekipit të Vllaznisë për disiplinën e taekwondo-së, një disiplinë kjo jo shumë e përhapur në sferën sportive shqiptare. Më mënyre që t’a njohim më mirë këtë ekip, na e përshkruani pak punën që bën dhe rëndësinë që ka për pjestarët e tij.

Përshëndetje piketa. Po, jam trajner i ekipit të Vllaznisë së Shkodrës, dhe pranë këtij ekipi stërviten afërsisht rreth 60 sportistë të të gjithë grupmoshave. Lojtarët fillojnë që nga mosha 5 vjeç dhe vijnë me energji në rritje. Stërvitja jonë bazohet në zhvillimin e aftësive fizike dhe psikologjike. Fryma që unë mundohem të ingranoj në grup është që: sporti duhet të jetë pjesë e jetës, duhet të kuptohen benefitet që vijnë prej tij dhe secili duhet të gjejë veten e tij. Këtë e bëj duke ja thjeshtësuar dhe përshtatur me mundësitë që ka në ekip. Pra ideja dhe qëllimi kryesor është “të bëjmë njerëz të fortë, jo makineri rezultatesh”.

  1. Dje u zhvillua për herë të dytë kampionati i taekwondo-së “Tirana Trophy”. Cila ishte përfaqësia që erdhi nga Shkodra dhe ç’performancë pati?

Po është e vërtetë, dje morëm pjesë në këtë kampionat ndërkombëtar, ku u përballëm me 350 sportistë nga 7 shtete të ndryshme. Vllaznia u përfaqësua me 4 sportistë të kategorisë së fëmijëve dhe qëllimi ishte të testonim veten përballë ekipeve dhe sportistëve shumë cilësorë si  ata të Greqisë dhe Italisë. Të gjithë përfqësuesit e ekipit tim arritën në podium, duke marrë 3 vende të para, 1 vend të dytë dhe 1 vend të tretë. Alsed Bulija me peshën 45kg, rrëmbeu vendin e parë dhe ishte sportisti me paraqitjen më të mirë nga përfaqësia jonë duke e kthyer rezultatin në raundin e fundit nga 11-1 në 11-12, në duelin final. Edrit Coka në peshën 27kg arriti të kualifikohet në vendin e tretë. Rezultatet tregojnë që në Shkodër punohet shumë për këtë sport, por mbi të gjitha, jam personalisht shumë i kënaqur sepse performanca e sportistëve të mi vjen gjithnjë e në rritje.

  1. Përvec dashamirëve dhe ndjekësve të këtij sporti, cila është mbështetja më e madhe e këtij ekipi? Kush është sponsori që ju mbështet?

Për sa i përket mbështetjes, ajo është në gjëndje të mjerueshme. Ajo financiare, sepse mbështetja morale nuk na mungon. Gjithësesi kemi shpresë se një ditë do të bëhet më mirë. Duhet të falenderoj përzemërsisht prindërit që nuk lodhen duke na mbështetur dhe sportistët e mi që jane shumë të përkushtuar dhe e ndjekin me kënaqësi këtë sport.

  1. Cilat janë disa nga arritjet dhe objektivat e ekipit në të ardhmen? Po nga karriera juaj personale ç’të reja të presim?

Për vitin 2016 ekipi i Vllaznisë është kampion kombëtar, si në kategoritë e fëmijëve ashtu edhe në kategoritë e të rriturve. Kjo është një arritje që tregon punën serioze dhe përgatitjen e këtij ekipi. Unë do të vazhdoj t’a mbështes dhe t’a drejtoj këtë ekip drejt e shumë fitoreve dhe medaljeve, duke punuar gjithmonë e më shumë.

  1. Ku do t’a shohim ekipin e taekwondo-së së Shkodrës në të ardhmen?

Ky ekip vazhdon të rritet dhe në Shkodër, kohët e fundit, po popullarizohet shumë.  Jam duke punuar me të rinj dhe të reja që në një të ardhme të afërt, të më ndihmojnë në përhapjen e këtij sporti të bukur, paqesor dhe spektakolar njëkohësisht. Pra duam qe t’i mundësojmë edhe të tjerëve t’a ndjekin këtë sport, duke gjetur gjithashtu edhe veten e tyre. Jemi optimistë dhe gjithnë në rritje.