Temperamenti shqiptar në këtë drejtim është tepër i zhvilluar dhe kjo ka ekzistuar në shekuj, që në lashtësi. Kjo vërtetohet më së miri jo vetëm nëpër objektet arkeologjike, ku paraqiten luftëtarë ilir të fortë me fizik të mrekullueshëm duke u stërvitur me pesha prej guri të gdhendur, por edhe ne libra e romane historik ku në mënyra të ndryshme shqiptarët kujdeseshin për trupin e tyre. Në periudhën pas luftës së dytë botërore, ashtu si në shumë vënde të tjera edhe në Shqipëri nisën të zhvillohen shumë sporte, por për fat të keq bodybuildingu edhe pse eshte një sport i përshtatshëm për karakterin dhe për trashëgimine gjenetike (njihen shqiptarët si njerëz robust dhe të fuqishëm) nuk pati një organizim zyrtar duke mos u lejuar. Megjithatë dëshira dhe pasioni i shumë të rinjve në atë kohë të frymëzuar dhe nga disa filma historik, që shfaqeshin në kinematë e Tiranës dhe qyteteve të tjera, ku luanin bodybuilder aktor si Steve Reeves, Serge Nubre, Arnold Schvarzenegeer etj, ishte e madhe dhe pati tepër masivizim duke krijuar një mentalitet të favorshëm për amatorët që stërviteshin për këtë qëllim. Madje ekzistonte një frymë konkurence, ku në biseda shokësh gjatë shëtitjeve në rrugët e qyteteve apo më saktë gjatë sezonit të plazhit, vlerësoheshin dhe përcaktoheshin “kampionët”. Ne vetë jemi dëshmitarë , ku në të tilla biseda nëpër shkolla, ndërmarrje apo lagje ekzistonte një interesim i madh duke u bërë preferencë të qënurit i fuqishëm me trup të bukur, ashtu si preferoheshin të lexuarit e romaneve, filmat nëpër kinema, mbrëmjet e vallëzimit nëpër bare etj. Për të qënë më i miri amatorët e rinj kuptuan se për ndërtimin e trupit nuk mjaftonte vetëm dëshira dhe pasioni, por për këtë qëllim duhej të mbështeteshe në programe dhe metoda te përparuara stërvitjeje, bazë materiale bashkëkohore dhe njohuri mbi anatomine, proceset fiziologjike të trupit të njëriut, për të qënë të kujdesshëm në regjimin dhe trajtimin ushqimor. Mirëpo për të përhapur këto njohuri duhej patjeter literature dhe eksperience, që ishin te pamundura te siguroheshin për shkak të mbylljes gati hermetike të Shqipërisë me botën. Megjithatë në vitet ’80-të në biblitekën kombëtare ka qarkulluar një libër në shqip, me titullin origjinal “Body-Building” me autor bodybuilderin e parë kampion dhe inisiator i bodybuildingut të Kosovës, Idriz Humolli. Eshtë një libër tepër i vlefshëm, që orienton drejtë të gjithë ata që stërvisin trupin e tyre, si fillestarët ashtu dhe të avancuarit. Ndoshta ishte ky libër, që dha ide dhe udhëzime profesionale bazë për disa individë të apasionuar, që patën rastin dhe mundësine për ta shfletuar, por edhe këto duke mos patur ndonjë motiv garues, nuk mundën të përfitonin, të stërviteshin e të trajtoheshin seriozisht në mënyrë profesionale. Megjithatë edhe pse në këto mangësi, ndoshta sportistët që kishin predispozita dhe që i afroheshin më shumë pamjes së një billderi ishin në përgjithësi peshëngritësit, ku më i spikaturi për të mos i përmendur të gjithë, ishte Aleksander Kondo në fillim të viteve ’80-të. Duhet theksuar se ai u bë një figurë ku u frymëzuan jo vetëm shumë peshëngritësa, por edhe shumë amatorë që merreshin me ndërtimin e trupit. Në fillim të viteve 90-të me ardhjen e demokracisë dhe hapjen e Shqipërisë me botën dhe me lëvizjen e lirë të njerëzve si jashtë dhe brënda vendit, si rrjedhojë solli një frymë të re duke u krijuar shoqata, ekipe dhe organizime në disa lloje sportesh të rinj, që nuk zhvilloheshin më parë në vendin tonë dhe ndër to futet edhe body-buildingu. Në këtë kohë pati shumë individë ku panë, mësuan dhe u stërvitën në palestra të qyteteve të ndryshme ne Europë, që pa dyshim kanë një traditë e kulturë tepër të zhvilluar në këtë drejtim e së bashku me amatorët që stërviteshin në palestrat sportive shqiptare sollën një traditë të re dhe një eksperiencë tepër të vyer në hapat e para të këtij lloj sporti në Shqipëri. Epiqëndra dhe bërthama e kësaj lëvizjeje në atë kohë u bë palestra e Qendrës Sportive në Tiranë, që drejtohej nga Profesor Sadik Mema, i cili ka merita në afrimin dhe këshillimin e shumë të rinjve, që më vonë do të bëheshin sportistë kryesorë dhe kampion të vendit. Në vitin 1993 me iniciativën e Dr. Flamur Topit në studion e Televizionit Shqiptar, ku zhvillohej emisioni tepër i shikuar “Trupi dhe shëndeti”, filluan të organizoheshin disa konkurse ose gara modeste, që kishin për qëllim sensibilizimin dhe masivizimin e këtij aktiviteti në opinionin e përgjithshëm të njerëzve si dhe angazhimin e sa më shumë sportistësh, që do të siguronin më vonë pjesëmarrjen në kampionatin kombëtar. Megjithatë ndjehej mungesa e një trajneri ose drejtuesi profesionist që të orientonte këta të rinj në zgjidhjen e shumë problemeve dhe vështirësive që haseshin. Për fat të mirë në atë kohë kishte ardhur nga Kosova prof. Bedri Cahani dhe fare rastësisht ai kishte dëgjuar për gjithë këto lëvizje dhe në një garë seleksionuse, që zhvillohej atëhere në ambjentet e cirkut të Tiranës, erdhi u prezantua në mënyrë tepër modeste duke ofruar ndihmesën dhe kontributin e tij në drejtimin dhe organizimin e bodybuildingut. Më vonë ne kuptuam se ai ishte një profesionist i vërtetë dhe kishim shumë gjëra për të mësuar nga eksperienca e tij shumëvjeçare. Duhet thënë se Prof. Bedri Cahani është një pionjer i Bodybuildingut Kosovar dhe një ndër themeluesit e Federatës së Bodybuildingut të Kosovës. Ai ka qenë kampion i shumfishtë dhe të jesh i tillë në Kosovë nuk është e lehtë për vetë nivelin e lartë që kanë bodybuillderët kosovarë. Kështu natyrshëm ai u bë trajneri dhe organizatori ynë, duke i dhënë një shtysë të re cilësisë dhe formës sportive në sajë të stërvitjeve profesionale të udhëhequra nga ai. Në vitin 1994 më në fund me mbështetjen e fuqishme të të gjithë billderëve u bë i mundur krijimi i Shoqatës Sqiptare të Body-Buildingut. Kryetar u zgjodh dok.Flamur Topi dhe Sekretar i Përgjithshëm Bedri Cahani.
– Në muajin Shkurt të vitit 1996 shënohet një eveniment shumë i rëndësishëm për të gjithë sportistët e body-builing-ut. Pas shumë përpjekjesh krijohet Federata Shqiptare e Body-Buildingut (FSHBB) e njohur dhe e regjistruar zyrtarisht në Ministrinë Sporteve. President u zgjodh Dok. Flamur Topi dhe Sekretar i Përgjithshëm Bedri Cahani. Menjëherë bëhet kërkesa për antarësimin e Shqipërisë në IFBB (International Federation of Body Builders). Pas pak kohe vjen miratimi nga federata ndërkombëtare dhe kështu përfundimisht vendi ynë bëhet antare me të gjithë të drejtat duke i dhënë mundësi edhe billderëve shqiptarë për të konkuruar në aktivitetet ndërkombëtare.
Nga viti ne vit , ka ecuri në këtë sport të forcës dhe bukurisë trupore. Kjo shihet në numrin e madh të ushtruësve dhe në krijimin e shumë palestrave që funksionojnë kudo në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Falë traditës së re të krijuar vitet e fundit dhe ngritjes profesionale të shumë billderëve, që kanë fituar një përvojë të vyer në garat kombëtare dhe ndërkombëtare, përbëjnë bazat dhe shkollën e re në këtë sport . Objektvi i FSHBB është që body-building të ushtrohet jo vetëm nga sportistë që kanë qëllim të fitojnë tituj nëpër gara, por e rëndësishme është që ky sport të ushtrohet nga të gjithë njerëzit. Duhet të kuptohet së bodybuilding-u mund të ushtrohet nga të gjithë qoftë meshkuj apo femra , duke perfshire te gjithë llojet e moshave dhe aftësitë që mund të kenë individet. Nuk mund të kesh shëndet të plotë , te jesh i bukur fizikisht e i kthejllët mendërisht pa u marrë sado pak me sport . Një nga parrullat shumë domethënëse që ka federata Ndërkombëtare e Bodybuilding-ut është:
“Ndërtimi i trupit është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e kombit”