Intervistë e shkurtër me trajnerin e Goga Basket, Henri Moja.
Henri Moja së fundmi është bashkuar me klubin Goga Basket si trajner, pas eksperiencës së tij me klubin Ardhmërina Basket. Përpos eksperiencave të tjera, kjo është hera e parë që ai trajnon një ekip me femra. Në një intervistë ekskluzive të piketa.al me z.Moja, ne zbulojmë disa nga objektivat e këtij kampionati dhe zbulojmë punën e skuadrës drejt titujve.
Zoti Moja, ma parë keni qënë pjesë e klubit sportiv për meshkuj Ardhmëria Basket dhe tashmë jeni trajneri i Goga Basket për femra. Si ka qënë për ju ky tranzicion?
Përshëndetje piketa.al. Është e vërtetë kam qënë pjesë e Ardhmëria Basket deri kur me kontaktuan nga Goga Basket në fund të shtatorit. E kisha nisur fazën përgatitore me Ardhmërinë , por pranova sepse më pëlqu projekti në tërësi, ndërtimi i nje pallati sporti të ri, dhe ekipi që tashme synon titullin kampion. Tranzicioni nuk ishte i lehtë sepse nuk kam punuar kurrë me vajza. Kam gjetur vajza që japin maksimumin dhe nuk është aspak e vertetë që vrapojnë më pak dhe punojnë më ritëm më të ulët se djemtë. Komunikimi është më i kujdesshëm , por kam senatoret e ekipit dhe kapitene që më mbështesin.
Ndryshojnë Ardhmëria Basket nga Goga Basket në terma të menaxhimit?
Menaxhimi i te dy skuadrave është shumë i mirë. Buxheti gjithashtu. Organizimi i klubit Goga Basket është i rëndësishëm dhe ka disa persona ku secili kryen funksionin e vet. Mund të përmënd dhe Blerina Gogën e cila është juriste dhe pronare e klubit, Perikli Goga i cili është presidenti i klubit dhe Zhani Noti, menaxher i përgjithshëm. Ardhmëria gjithashtu është një klub në rritje, me trajner shumë të mirë si Afrim Bilali dhe president të shoqatës Juel Jarani. Kanë një akademi që nxjerr talente dhe furnizojnë ekipin e parë që është edhe në Superligë. Edhe qëllimi i Goga Basket është që në të ardhem të mbështetet tek prurjet e akademisë.
Goga Basket erdhi fuqishëm në ndeshjen e saj të parë me Apoloninë, duke fituar me rezultat të thellë. Kujt ia atribuoni këtë rezultat?
Fitorja me Apolonine ishte e mirë dhe na shërbeu shumë për të parë se deri ku kemi arritur me përgatitjen si skuadër. Kjo skuadër e re nuk ka bërë shumë miqësore dhe deri ne ndeshjen e parë nuk ishte i qartë rezultati i punës tonë. Më pëlqen harmonia në skuadër dhe altruizimi mes vajzave. Kemi një kapitene ekipi shumë të mirë që jep më shumë assiste se shënon, gjë që e bën shembull. Kemi edhe dy lojtare të huaja të cilat e pëlqejnë shumë grupin dhe janë familjarizuar menjëherë. Ato japin maksimumin, si të tjerat dhe janë përvecse kolege edhe shoqe shumë të mira.
Cilat janë objektivat tuaja si trajner , dhe objektivat e klubit Goga Basket?
Objektivat e mia dhe te klubit janë të njëjta, gjithnjë në funksion të skuadrës. Tre janë objektivat tona kryesore që kanë të bejnë më tre trofetë kampionat, kupe dhe superkupë. Po punojmë fort për ti arritur këto, dhe duke patur parasysh përgatitjen e skuadrës nuk jemi larg titujve.
Cilat janë planet tuaja pas kampionatit? Do t’ju shohim sërish me Goga Basket apo të presim ndryshime?
Po do të jem me Goga Basket edhe vitin tjetër, sepse kam firmosur nje kontratë afatgjatë. Gjithashtu edhe lojtaret kryesore sapo janë rinovuar dhe do të jenë 3-5 vitet e ardhshme me skuadrën. Këto ditë skuadrës i është bashkuar edhe boshnjakja Samra Omerbasic, 191cm e gatë 26 vjec dhe amerikania Deshaun Harden që vjen nga kolegji i famshëm LSU. Te huajat i bashkohen mirë grupit të titullareve si: Dori Mehmeti, Igena Qypi, Eli Papa, Ornela Lalaj, Dajana Baraj, Tea Memushi, Sofika Papa, Dea Gjoshi, Borana Duqi, Klaudia Hoxha,dhe dy lojtare të reja Anxhela dhe Sindi.